Abissnet, përsëri sponsor i “Abissnet Superiore” - Abissnet

Abissnet, përsëri sponsor i “Abissnet Superiore”

U zhvillua nga FSHF ceremonia kushtuar sponsorit të titullit të “Abissnet Superiore” që edhe për 3 vite të tjera do të jetë ABISSNET sh.a. Kampionatet elitare të futbollit për meshkuj dhe femra në Shqipëri kanë pasur dhe do të kenë të njëjtin sponsor të këtij titulli, duke e rritur dhe zgjeruar bashkëpunimin midis Abissnet sh.a., Federatës Shqiptare të Futbollit, Klubeve të futbollit si dhe RTSH që është partneri i ri mediatik që ka blerë të drejtën e transmetimeve televizive të këtyre kampionateve.

Ceremonia u organizua në “Shtëpinë e Futbollit” në ambjentet e jashtme, ku të pranishëm ishin Presidenti i FSHF-së, z.Armand Duka, Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, z. Alfred Peza, Presidenti i Abissnet sh.a. , z. Koço Kokëdhima, përfaqësues të klubeve të futbollit në vend si dhe gazetarë të televizioneve, gazetave e radiove dhe personalitete të futbollit shqiptar.
Në fjalën e tij, Presidenti Duka falënderoi kompaninë Abissnet dhe drejtuesit e tij për kontributin e dhënë për 3 vitet e shkuara si dhe rinovimin e kontratës edhe për 3 vite të tjera duke ndihmuar kështu futbollin elitar, klubet, Federatën dhe të rinjtë e vendit që kanë zgjedhur karrierën e futbollit në vend.

Z. Duka falenderoi në mënyrë të veçantë RTSH që për herë të parë do të jete partneri mediatik i “Abissnet Superiore” duke e rritur shumë shikueshmërinë dhe duke ndihmuar kështu futbollin shqiptar. Zoti Duka falënderoi në mënyrë të veçantë Kryeministrin dhe Ministrat e qeverisë për mbështetjen dhe përpjekjet e tyre për të përmirësuar infrastrukturën sportive nëShqipëri.
Drejtori i RTSH-së, Alfred Peza, vlerësoi marrëveshjen e re me Federatën si një mundësi për të pasqyruar futbollin shqiptar në mënyrë më të gjerë dhe për të përfshirë më shumë ekipe dhe kategori në transmetimet televizive. Ai theksoi se ky bashkëpunim do të ndihmojë në rritjen e besimit te sporti shqiptar dhe në stimulimin e mbështetjes publike për ekipet dhe ngjarjet sportive.

President i Abissnet sh.a. z, Koço Kokëdhima, ka luajtur dhe luan një rol thelbësor në këtë marrëveshje. Ai midis te tjerash tha: ”Ky është një partneritet që synon të ngrejë në nivelet më të larta, të paeksploruara, ekonominë shqiptare të futbollit dhe të krijojë një plaftormë ku talentet e reja të rriten jo vetëm të shëndetshëm, por në kontekstin e një industrie shumë konkurruese, në kontekstin e një industrie që prodhon karriera shumë të mëdha në epokën e sotme, ose gjëra që janë ëndrra, që janë legjenda, që janë të magjishme. Kështu që, përmes këtij partneriteti duam të ndihmojmë që të rinjtë e Shqipërisë të mos privohen nga këto ëndrra dhe zhvillime.

Dua që të shpreh besimin që të gjitha kampionatet Abissnet Superiore do të jenë qartazi simbole të këtij përparimi që suportohet nga ky partneritet dhe i ftoj të gjithë shqiptarët t’i besojnë këto kampionate, t’i besojnë garat e të rinjve të fëmijëve tanë, djemve dhe vajzave të Shqipërisë, t’i mbështesin me gjithë zemër dhe shpirt duke e kuptuar që mbështetja jonë nuk është thjeshtë një kalim kohe për ne, është një energji shume e madhe për të rritur shëndetshëm brezat e ardhshëm dhe talentet e Shqipërisë.

Dua të falenderoj në mënyrë të posaçme Federatën Shqiptare të Futbollit dhe presidentin Armand Duka, për të gjithë përkushtimin e tyre për ta çuar futbollin e Shqipërisë para. Zgjedhja e zotit Duka si zv.president i UEFA-s në këtë kontekst që flasim është një mbështetje e madhe për të gjitha këto ambicie që ne ndërtojmë dhe suportojmë përmes këtij partneriteti. Dua të falenderoj në mënyrë të veçantë RTSH dhe z Peza për këtë iniciativë shumë nderuese për ta dhe për futbollin e Shqipërisë. Për ta dhe për lojën e magjishme të futbollit, sepse futbolli ynë ka vendin te televizioni publik i cili është televizion më i lidhur me popullin shqiptar për faktin se është televizion që mbështetet nga të gjithë shqiptarët, edhe ekonomikisht edhe në kuptimin e një trashëgimie shumë të gjatë dhe shumë të madhe.

Dua të falenderoj gjithashtu qeverinë e Shqipërisë, dua të falenderoj Kryeministrin Edi Rama, i cili e ka mbështetur këtë partneritet, e ka mbështetur në mënyrë të drejtpërdrejtë këtë partneritet duke mbështetur RTSH-në që ta zhvillojë këtë marrëveshje me FSHF. Ky është vetëm një hap sepse shumë hapa duhen bërë përpara. Dhe ne nuk jemi bashkuar këtu thjeshtë për të përmbushur qëlllime biznesi, por për të përmbushur qëllime strategjike që kanë të bëjnë me përgjegjësinë që kanë të gjithë aktorët e lojës së futbollit ndaj vendit, ndaj popullit dhe ndaj rinisë sonë.
Dhe së fundmi dua t’ju them që Abissnet është një emër shumë nderues dhe nuk e kam të flas për ABISSNET-in TIM, do t’u thjem thjeshtë atë që mendoj unë. Abissnet është pioneri i shumë shërbimeve të telekomunikacionit për herë të parë në Shqipëri, ka promovuar për herë të parë në internet komercial në Shqipëri dhe shumë shërbime të lidhura me të dhe është 100% vepër e inxhinerëve, e djemve dhe e vajzave plot talent të Shqipërisë dhe jam shumë krenar për këtë. Kështu që shumë faleminderit të gjithëve”.

×